()

Vlerat e Hixhames – Udhëzimi i tij për kurimin me mjaltë, kupa dhe djegie

Vlerat e Hixhames – Në Sahih-un e Buhariut është rrëfimi nga Seid ibn Xhubejri, që përcjell prej Ibn Abasit, e ky nga Pejgamberi (s.a.u.s.), se: “Shërimi ndodhet në tri gjëra: te konsumimi i mjaltit, te hixhame-ja (heqja e gjakut me kupa) dhe në djegien me zjarr. Por unë e ndaloj umetin tim nga djegia me zjarr (kauterizimi).”

Në lidhje me këtë, Ebu Abdullah El Maziri ka thënë: “Gjendjet pletorike (me tepri substancash) vijnë nga tepria ose e gjakut, ose e vrerit të verdhë, ose e këlbazës, ose e vrerit të zi. Nëse shkak është gjaku i tepërt, ai shërohet duke e nxjerrë jashtë atë (me hixhame ose kupa). Nëse shkak janë tri rastet e tjera, shërimi bëhet duke larguar secilën prej tyre me mënyrat e përshtatshme. Pejgamberi (s.a.u.s.) na ka mësuar se mjalti shërben si laksativ, ndërsa me hixhame mund të heqësh gjakun (e keq).”

Disa njerëz thonë se: nëse edhe hixhame-ja nuk sjell rezultatin e duhur, mënyra e fundit është djegia me zjarr, sepse Pejgamberi (s.a.u.s.) e ka përdorur atë në rastet kur ilaçet që merren nuk janë efikase. Por në hadith thuhet: “Unë e ndaloj umetin tim nga djegia me zjarr.” Gjithashtu, në një hadith tjetër, ai ka thënë: “Unë nuk preferoj të mjekohem me djegie.” Kjo tregon se mjekimi me djegie duhet evituar sa të jetë e mundur, ose të përdoret veçse në rastet e domosdoshme. Nuk duhet të nxitohemi e të shkojmë në përdorimin e një metode kaq të dhembshme, ndërkohë që ka mënyra të tjera më të buta.

Disa doktorë thonë që sëmundjet e lidhura me temperamentin janë materiale ose jomateriale. Ato të kategorisë materiale janë ose të ftohta, ose të nxehta, ose të lagështa, ose të thata, ose ndërthurje të këtyre gjendjeve. Nga katër gjendjet, nxehtësia dhe ftohtësia janë ndikuese, ndërsa dy të tjerat, thatësia dhe lagështia, janë zakonisht të ndikuara.

Sëmundjet e temperamentit shkaktohen zakonisht nga ajo gjendje ndikuese që është më e fortë: nxehtësia apo ftohtësia. Fjala e Profetit (s.a.u.s.) na orienton te zanafillat e sëmundjeve, nxehtësia dhe ftohtësia. Nëse sëmundja është e nxehtë, kurimi mund të bëhet me heqje të gjakut nëpërmjet kupave ose me shpim të venave. Kjo ndihmon si për pastrimin nga substancat dëmtuese, ashtu edhe për ftohjen e temperamentit. E nëse sëmundja është e ftohtë, ne e trajtojmë atë me nxehtësi, si, për shembull, me përdorimin e mjaltit. Nëse duhet që, përveç nxehjes, të nxjerrim nga organizmi edhe substancën e ftohtë që ka shkaktuar sëmundjen, mjalti e plotëson më së miri këtë kusht. Ai jo vetëm që ndihmon në maturimin e substancave të ndryshme, por ka edhe veti pastruese dhe zbutëse për organet e prekura. Me cilësi të tilla, mjalti bën që lëndët dëmtuese të dalin nga trupi me butësi, duke e ruajtur atë (trupin) nga acarimi që krijon përdorimi i një laksativi të fortë.

***

vlerat e hixhames

Sëmundjet fizike janë ose akute, e për këtë arsye nuk kanë nevojë për kauterizim, sepse largohen shpejt, ose kronike, rast kur djegia shërben më së miri për gjymtyrën e lënduar, por, pasi të jetë provuar heqja e substancave dëmtuese.

Sëmundjet kronike janë zakonisht pasojë e substancave të ftohta dhe veshtullore, që ngjiten pas organit të prekur, duke e sëmurur atë, duke i prishur strukturën e, rrjedhimisht, duke pezmatuar pjesët e trupit që janë të lidhura drejtpërdrejtë me organin e prekur. Për këtë arsye, djegia mund të përdoret për të asgjësuar dhe nxjerrë substancat dëmtuese nga organi i prekur.

Hadithi shpjegon trajtimin e të gjitha llojeve të sëmundjeve fizike, ashtu siç mësuam mënyrën e shërimit të sëmundjeve të thjeshta (me ethe) nga hadithi: “Zjarrmia është një afsh i nxehtë që lëshon Xhehenemi, prandaj ftoheni atë me ujë!” Sa i përket mjekimit nëpërmjet hixhame-s, pra, duke e nxjerrë gjakun me anë të kupave, janë transmetuar disa hadithe.

Kështu, në Sunen-in e Ibn Maxhes është një hadith nga Xhebara ibn Mugale, – një transmetues i dobët – i cili e përcjell atë prej Kethir ibn Sulejmit, që tregon se e ka dëgjuar Enes ibn Malikun të rrëfejë që Pejgamberi (s.a.u.s.) ka thënë: “Natën e Israsë, sa herë që kaloja pranë ndonjë grupi (engjëjsh), ata më thoshin: „Urdhëroje umetin tënd për (të bërë) hixhame!‟” Këtë hadith, Tirmidhiu e ka sjellë përmes rrugës së Ibn Abasit, dhe në të thuhet se engjëjt e porosisnin atë duke i thënë: “Bëj hixhame, o Muhamed!”

Në dy Sahih-ët është rrëfimi prej Tausit, i cili përcjell prej Ibn Abasit, se: “Pejgamberi (s.a.u.s.) ka kryer hixhame dhe i ka dhënë hixhamtarit shpërblimin për punën e tij.”

Në dy Sahih-ët, gjithashtu, është rrëfimi prej Humejd El Tauilit, i cili përcjell prej Enesit se, njëherë, Pejgamberit (s.a.u.s.) i bëri hixhame Ebu Tajbeja, për të cilin Pejgamberi (s.a.u.s.) urdhëroi që t‟i jepen dy sa me ushqime, dhe pastaj tha: “Mënyra më e mirë me të cilën mund të mjekoheni është hixhame-ja.”4

Në librin El Xhamiu të Tirmidhiut, është një rrëfimi prej Abad ibn Mensurit, se e ka dëgjuar Ikriman të thotë se Ibn Abasi kishte tre robër, që bënin hixhame: dy nga ata punonin dhe i jepnin atij një pjesë të fitimit, ndërsa i treti i bënte hixhame atij vetë (Ibn Abasit) dhe familjes së tij. Ibn Abasi tregonte se Pejgamberi (s.a.u.s.) ka thënë: “Sa rob i mirë është ai që u bën hixhame të tjerëve! Ai ua largon gjakun (e keq), i lehtëson dhe ua shkëlqen (forcon) shikimin.” Ai thoshte, gjithashtu, se “kur Pejgamberi (s.a.u.s.) u ngjit në qiell (natën e Israsë dhe Miraxhit), sa herë që kalonte pranë ndonjë grupi melekësh, ata i thonin: „Bëj hixhame!‟”

Dobitë e kupave – vlerat e hixhames

Nxjerrja e gjakut me anë të kupave është trajtimi më i mirë kur flitet për pastrimin e pjesëve të jashtme të trupit, ndërsa prerja sipërfaqësore ose shpimi i venave është më efikas kur duhet nxjerrë gjak nga pjesët e brendshme të trupit. Me kupa mund të heqësh gjak nga pjesë të ndryshme të lëkurës.

Për të gjykuar drejt se cila nga dy metodat është më e mira për t‟u zbatuar, duhen parë dhe vlerësuar koha, vendi, mosha dhe gjendja e të sëmurit. Për shembull, metoda me kupa është më e mirë në vende të ngrohta, me klimë të ngrohtë, te njerëz me temperament të nxehtë, gjaku (domethënë, substancat dëmtuese të gjakut) i të cilëve është afër maturimit. Në këto kushte, gjaku i prishur, i maturuar mblidhet pranë lëkurës, e kështu kupat e heqin më mirë atë sesa shpimi i venave. Kupat, gjithashtu, janë më të mira për fëmijët dhe për ata që nuk e përballojnë dot shpimin e venave.

Mjekët pajtohen me faktin se heqja e gjakut me kupa është trajtim më i mirë për njerëzit e viseve të nxehta, sesa shpimi i damarëve, dhe se ajo është e këshillueshme të bëhet në mesin e muajit hënor, ose pak pas kësaj periudhe, ose më mirë në çerekun e fundit të këtij muaji. Në fillim të muajit, gjaku nis e irritohet, ndërsa në fund të muajit ai ftohet e plogështohet. Kësisoj, në mes të muajit ose në fillim të çerekut të fundit të muajit ai është duke vluar dhe me sasi të madhe.

Po këtë mendim ka shprehur edhe Ibn Sina (Avicena), duke thënë: “Nxjerrja e gjakut me kupa nuk duhet bërë gjatë fazës së rritjes së hënës, sepse në këtë kohë lëngjet themelore të trupit ende nuk e kanë arritur intensitetin e tyre të lartë, dhe as në fund të muajit hënor, ngase në këtë periudhë ato lëngje plogështohen.” Pejgamberi (s.a.u.s.) ka thënë: “Mënyra më e mirë me të cilën mund të mjekoheni është ajo me kupa.” Por, në këtë hadith, Pejgamberi (s.a.u.s.) flet për banorët e Hixhazit dhe të vendeve të nxehta në përgjithësi. Pra, për ta, hixhame-ja është gjëja më e mirë. Arsyeja është se gjaku i tyre është më i hollë, ndodhet më afër sipërfaqes së lëkurës, poret i kanë më të mëdha, ndërsa fuqia fizike është e ulët (kur bën mjaft nxehtë). Shpimi i damarëve për ta është i tepër i dhembshëm.

Megjithatë, shpimi i secilit damar të trupit ka një dobi më vete. Për shembull, shpimi i damarit kryesor që kalon në anën e brendshme të krahut (basilica) është i dobishëm kundra nxehtësisë së mëlçisë dhe shpretkës, si edhe kundra lungave – që lidhen me gjakun – të këtyre organeve. Ai është i dobishëm, po ashtu, kundra lungave në mushkëri, plevitit dhe kundra shumicës së sëmundjeve të venave që lidhen me gjakun, të cilat godasin pjesën nën gju e deri lart në këllqe.

Sa i përket prerjes sipërfaqësore të venës mediane në dorë, lëshimi i gjakut prej saj është i dobishëm në përgjithësi kundra ënjtjeve në të gjitha pjesët e trupit, sidomos kur ato kanë lidhje me gjakun ose kur përmbajnë gjak të prishur në përgjithësi.

Shpimi i damarit të krahut ndihmon kundra sëmundjeve të kokës dhe të qafës, që janë pasojë e teprisë së gjakut ose e gjakut të prishur. Ndërsa shpimi i damarit të qafës shërben për të luftuar sëmundjet e shpretkës, ato të kafazit të kraharorit, astmën dhe dhembjet ballore të kokës.

Thithja e gjakut me kupa në hapësirën mes dy shpatullave kuron dhembjet e shpatullave dhe të qafës. Ndërsa kupat në dy damarët e pasmë të qafës ndihmojnë shumë në shërimin e sëmundjeve të kokës dhe të pjesëve të saj, si: fytyra, dhëmbët, sytë, veshët, hunda apo fyti, nëse ato vijnë për shkak të gjakut të shumtë apo prej gjakut të prishur, ose për të dyja shkaqet bashkë.

Enesi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) ka thënë se: “Pejgamberi (s.a.u.s.) ka bërë hixhame në hapësirën mes dy shpatullave dhe në dy damarët e pasmë të qafës.”1 Në dy Sahih-ët është hadithi po prej Enesit se: “Pejgamberi (s.a.u.s.) bënte hixhame në tri vende: një në hapësirën mes dy shpatullave dhe në dy venat e pasme të qafës.”

Është një hadith i saktë, se “Pejgamberi (s.a.u.s.) bëri hixhame në kokë gjatë kohës kur ishte muhrim (në haxh), për shkak të një dhembjeje që ndiente në të.”

Sunen-in e Ibn Maxhes është rrëfimi nga Aliu (r.a.), se “ishte meleku Xhibril ai që udhëzoi të Dërguarin e Allahut (s.a.u.s.) për hixhame-n në hapësirën mes dy shpatullave dhe në dy damarët e qafës.”

Ebu Daudi sjell hadithin nga Xhabiri, i cili ka thënë se Pejgamberi (s.a.u.s.) ka bërë hixhame-n te këllqet, për shkak të një debulese që po kalonte.

Kupat në gropën e zverkut – vlerat e hixhames

Mjekët kanë dhënë opinione të ndryshme rreth rolit të kupave në gropën e zverkut. Disa prej tyre e përkrahin këtë mënyrë të hixhame-s, duke thënë se ajo ndihmon kundra daljes jonormale të kokërdhokëve të syrit, kundra rëndimit të qepallave dhe vetullave dhe kundra zgjebes në kapakët e syrit.

Ebu Nuajmi, në librin e tij Mjekësia profetike, përmend një hadith merfu, ku thuhet: “Bëni hixhame në gropën e zverkut, se me të vërtetë ajo shëron pesë lloje sëmundjesh…!”, dhe mes tyre përmendi lebrën.1 Ndërsa në një hadith tjetër thuhet: “Bëni hixhame në gropën e zverkut, sepse ajo kuron shtatëdhjetë e dy sëmundje!”

Më tej, thuhet se imam Ahmed ibn Hanbeli, kur pati nevojë për një hixhame të tillë, nuk e bëri atë në gropën e zverkut, por në dy anët e saj.

Autori i librit Ligjet e mjekësisë nuk e pëlqente hixhame-n në gropën e zverkut, duke thënë që “ajo sjell apo shkakton harresën, ashtu sikurse ka thënë zotëria ynë, i dashuri ynë, ai që solli Sheriatin tonë, Muhamedi (s.a.u.s.), sepse dihet mirë që pjesa e mbrapme e trurit është për kujtesën, dhe hixhame-ja në atë vend e largon atë.”

Të tjerët e kundërshtojnë fjalën e tij, duke thënë se hadithi ku mbështetet ai është i pasaktë. Por edhe nëse do të ishte i saktë, – thonë ata – kjo lloj hixhameje e dobëson trurin kur bëhet pa qenë e nevojshme. Kur gjaku është shtuar dhe nxjerrja e tij është e nevojshme apo e domosdoshme, ajo, pa dyshim që është diçka e dobishme qoftë nga ana fetare, qoftë nga ajo mjekësore. Është përcjellë saktësisht prej Profetit (s.a.u.s.) se ai ka bërë kupa në disa pjesë të zonës prapa qafës, sipas nevojës, dhe po sipas nevojës, ka bërë kupa edhe në pjesë të tjera të trupit. Bërja e hixhame-s nën nofull ndihmon kundra dhembjes së dhëmbëve, sëmundjeve të fytyrës, për pastrimin e kokës dhe të nofullave, dhe zvogëlon dhimbjen në fyt, nëse përdoret në kohë.

Kupat në kurriz të shputës së këmbës, janë zëvendësimi më i mirë për nxjerrjen e gjakut me anë të shpimit të safenes, domethënë, të damarit që kalon mbi thembër. Hixhame-ja në këtë vend ndihmon kundër pezmatimit të lëkurës në testikuj, lungave në këmbë dhe kofshë, dhe kundra ndërprerjes së menstruacioneve.

Kupat në pjesën e fundme të kraharorit luftojnë puçrrat, pezmatimin dhe zgjeben që shfaqet në kofshë. Ato ndihmojnë edhe kundra cermës, majasëllit, elefantiazës (fryrjes së këmbëve) dhe kruajtjeve në kurriz.

Udhëzimet e Profetit (s.a.u.s.)

në lidhje me kohën më të mirë të kryerjes së kupave – Vlerat e Hixhames Mjeksia Profetike

Imam Tirmidhiu sjell në El Xhamiu hadithin se Pejgamberi (s.a.u.s.) ka thënë: “Ditët më të mira në të cilat mund të bëni kupa janë dita e 17-të, e 19-të dhe e 21-të (të muajit hënor).”

Enesi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) ka thënë: “Pejgamberi (s.a.u.s.) ka bërë kupa mes dy shpatullave dhe në dy damarët e qafës në datat 17, 19 dhe 21 (të muajit hënor).”

Sunen-in e Ibn Maxhes është një hadith merfu nga Enesi, ku thuhet: “Kush dëshiron të bëjë kupa, le të presë datat 17, 19 dhe 21. Mos lejoni që t‟ju vrasë presioni i gjakut!”Ndërsa në Sunen-in e Ebu Daudit është hadithi merfu nga Ebu Hurejra, ku thuhet: “Për këdo që bën kupa në datat 17, 19 dhe 21, ato janë shërim për çdo sëmundje.” Kuptimi është: për çdo sëmundje që shkaktohet nga gjaku.

Këto hadithe, që tregojnë kohën më të përshtatshme të kryerjes së hixhame-s, janë në përputhje të plotë me qëndrimin e mjekësisë dhe njerëzve të saj mbi këtë çështje. Ata janë të mendimit se koha më e mirë për hixhame-n është pikërisht koha pas mesit të muajit hënor, dhe pikërisht ditët e përmendura. Kjo është më e mirë se hixhame-ja në fillim të muajit apo në fundin e tij. Por nëse nevoja e kërkon që hixhame-ja të kryhet, ajo mund të kryhet në çdo kohë, qoftë edhe në fillim apo në fund të muajit.

Khallali tregon se Ismet ibn Isami i ka përcjellë se Hanbeli ka thënë: “Ebu Abdullah Ahmed ibn Hanbeli bënte hixhame në çdo periudhë dhe në çdo orë që e ndiente tensionin e gjakut të ngritur.”

Autori i librit Kanun el Tibb (Ibn Sina/Avicena) thotë: “Koha më e përshtatshme për hixhame-n gjatë ditës, në orën e dytë ose të tretë të saj, dhe pasi të kemi bërë banjë. Megjithatë, pas banjës, duhet të presim pak, rreth një orë a diçka më tepër.”

Hixhame-ja pas ushqimit është e papëlqyeshme, ngase kjo mund të shkaktojë sëmundje të ndryshme, sidomos kur hahet rëndë. Thuhet se kur kupat bëhen me stomakun bosh, ato janë ilaç, ndërsa pas ngrënies ato janë sëmundje. Gjithashtu, kur bëhen ditën e 17-të të muajit hënor, ato janë ilaç.

Përzgjedhja e këtyre kohëve bëhet për të ruajtur shëndetin dhe për të parandaluar ndonjë dëmtim të mundshëm. Megjithatë, kur sëmundja rëndohet, atëherë kupat bëhen të domosdoshme, pasi Pejgamberi (s.a.u.s.) ka thënë: “Mos lejoni që t‟ju vrasë presioni i gjakut!” Pak më parë treguam gjithashtu se imam Ahmedi e bënte hixhame-n sa herë që e ndiente të nevojshme gjatë muajit.

Për sa u përket ditëve të javës, në përmbledhjen e tij me hadithe, Khallali shkruan se Harb ibn Ismaili e ka pyetur imam Ahmed ibn Hanbelin: – Në cilat ditë të javës nuk e lejon hixhame-n? – Ai është përgjigjur: “Në lidhje me këtë pyetje, unë di që në hadithe janë përmendur e shtuna dhe e mërkura.” Po në të njëjtin libër thuhet se Husejn ibn Hasani e ka pyetur imam Ahmedin se në çfarë dite është hixhame-ja e papëlqyeshme, dhe ai ka thënë: “Ditën e shtunë dhe ditën e mërkurë, e disa thonë se edhe ditën e premte.”

Ebu Daudi sjell në Sunen hadithin prej Ebu Bekrates, i cili nuk e pëlqente hixhame-n ditën e mërkurë dhe thoshte: “Dita e mërkurë është dita e gjakut dhe gjatë saj është një orë në të cilën gjaku nuk derdhet.”

Në këto hadithe ka mjaft mësime, si: pëlqyeshmëria e të mjekuarit në përgjithësi dhe e hixhame-s në veçanti, si dhe që hixhame-ja lejohet dhe mund të bëhet në atë pjesë të trupit ku është e nevojshme.

***

Hixhame-ja është e lejueshme për atë që është në ihram, edhe nëse kjo mund të kërkojë që një pjesë e flokëve të rruhen. Mendimi se kush e kryen këtë vepër, duhet që të bëjë kompensimin e saj, vlen të vihet në dyshim, prandaj kurrsesi nuk mund të arrijë në gradën e detyrueshmërisë.

Hixhame-ja është e lejueshme edhe për agjëruesin. Në Sahih-un e Buhariut është rrëfimi se: “Pejgamberi (s.a.u.s.) bëri hixhame kur ishte agjërueshëm.”

Por, a e prish hixhame-ja agjërimin? Kjo është një çështje tjetër.

Mendimi më i saktë është se kupat e prishin agjërimin, sepse është transmetuar saktësisht nga Pejgamberi (s.a.u.s.) që ka thënë: “E prish agjërimin ai që bën kupat dhe ai të cilit i bëhen kupat”, dhe, nga ana tjetër, nuk është transmetuar ndonjë hadith që ta kundërshtojë atë.

Hadithi më i saktë që sjellin ata që pretendojnë se hixhame-ja e prish agjërimin, është ai që thotë se “Pejgamberi (s.a.u.s.) bëri kupa kur ishte agjërueshëm”. Por ky hadith nuk tregon as që Pejgamberi (s.a.u.s.) e prishi agjërimin dhe as që nuk e prishi atë. Që të pretendojmë se ky hadith tregon se Pejgamberi (s.a.u.s.) nuk e prishi agjërimin, duhen të plotësohen këto katër kushte:

1. Të ketë dëshmi se agjërimi i tij ishte i llojit farz, pasi ai nuk do ta prishte farzin për të bërë hixhame, vetëm nëse ishte udhëtar, ose i sëmurë që kishte nevojë për hixhame.

2. Të ketë prova se ai, gjatë kohës kur agjëronte dhe bëri hixhame-n, ishte jo në udhëtim. Arsyeja është se ai mund të ishte në ramazan por, duke qenë udhëtar, edhe mund ta prishte agjërimin, për shkak të udhëtimit, dhe kështu mund të bënte edhe hixhame.

3. Të ketë prova se ai nuk ishte i sëmurë, që të kishte nevojë për hixhame. Po të ishte i sëmurë, mund ta prishte agjërimin edhe për shkak të sëmundjes, dhe kështu mund të bënte edhe hixhame.

4. Të ketë prova që hadithi: “Pejgamberi (s.a.u.s.) bëri hixhame kur ishte agjërueshëm”, është më i vonshëm se hadithi: “E prish agjërimin ai që bën hixhame dhe ai të cilit i bëhet hixhame-ja”, sepse, nëse është e kundërta, atëherë përfundimi është i qartë.

Nëse këto katër kushte vërtetohen, vetëm atëherë mund të themi se Pejgamberi (s.a.u.s.), edhe pas hixhame-s, nuk e prishi agjërimin. Në fakt, është i pamundur vërtetimi i njërit prej tyre, e aq më pak i të katërve bashkë.

Nga mësimet e këtyre haditheve mund të përmendim gjithashtu:

1. Pagesa e mjekut për punën e tij është e lejueshme të jepet në përfundim të punës, edhe pa rënë dakord fillimisht për çmimin e shpërblimit. Atij i jepet sipas traditës, apo aq sa të kënaqet.

2. Nxjerrja e fitimit nëpërmjet hixhame-s është e lejuar, edhe pse për një njeri të lirë (jo skllav) është jo e këndshme. Por, gjithsesi, nuk është haram. Pejgamberi (s.a.u.s.) i dha atij që i bëri hixhame-n hakun e tij dhe nuk e ndaloi nga përdorimi i asaj pasurie. Edhe pse

Pejgamberi (s.a.u.s.) e ka quajtur “jo të këndshëm” (habith) fitimin nga hixhame-ja, ky është njëlloj si përcaktimi që ai ka bërë për hudhrën dhe qepën, kur ka thënë që ato janë “jo të këndshme”, cilësim ky që nuk tregon se ato janë haram.

3. I lejohet zotërisë që, prej punës së robit të tij me mëditje te të tjerët, të përcaktojë një pjesë të fitimit për veten e vet, sikurse bënte Ibn Abasi me dy prej shërbëtorëve të tij. Por kjo pjesë duhet të jetë e përcaktuar dhe të mos i kalojë mundësitë e robit apo të cenojë shumë fitimin e tij. Megjithëse, në fund të fundit, çdo pasuri që ka robi, i takon zotërisë së tij dhe ai fitim që robi veçon për veten e vet nga puna me mëditje te të tjerët është thjesht një pasuri që vetë zotëria i tij e lejon që ta fitojë dhe ta marrë.

How useful was this post?

Click on a star to rate it!

Average rating / 5. Vote count:

No votes so far! Be the first to rate this post.

As you found this post useful...

Follow us on social media!

Shpërndaje
error: Content is protected !!

Pin It on Pinterest

Share This