Mësoni suren Fatiha me titra Shqip me shkronja Arabe.
Surja El Fatia me përkthim dhe transliterim. Surja Fatia Shqip Arabisht
SURJA EL FATIHA
BISMI LËHI RAHMËNI RAHIM (1).
Me emrin e All-llahut, Mëshiruesit, Mëshirëbërësit!
EL-HAMDU LIL-LAHI RABBIL-’ALEMIN (2).
Lavd Falënderimi i takon All-llahut, Zotit të botëve!
ËR-RAHMËNI RAHIM (3).
Mëshiruesit, Mëshirëbërësit!
MËLIKI JEWMI DIN (4).
Sunduesit të Ditës së Gjykimit (përgjegjësisë-shpërblimit)!
‘IJËKE NA’BUDU WE ‘IJËKE NËSTE’IN (5).
Vetëm Ty të adhurojmë dhe vetëm te Ty kërkojmë ndihmë!
IHDINA SIRATAL-MUSTEKIM (6).
Udhëzona (përforcona) në rrugën e drejtë!
SIRATAL-LEDHINE ‘EN’AMTE ‘ALEJHIM GAJRIL-MAGDUBI ‘ALEJHIM WE LE-DAL-LIN (7).
Në rrugën e atyre, të cilët i begatove me të mira, jo në të atyre që kundër veti tërhoqën hidhërimin, e as në të atyre që e humbën veten!
Fatihaja (Surja e parë e Kuranit)
Fatihaja është nëna e Kuranit, „Shtatëshja e ajeteve të përsëritëshme‟ që iu dha Pejgamberit (Alejhi Selam), kura e padiskutueshme dhe ilaçi efikas, që përmban rukjen më të mirë. Surja fatiha është çelësi që hap derën e pasurimit, suksesit dhe fuqisë. Ajo largon pikëllimin, depresionin, ankthin dhe frikën. Megjithatë, vetëm ata që ia dinë vlerën Fatihasë, që i japin asaj atë që meriton, që e këndojnë atë ashtu si duhet kënduar dhe që e njohin sekretin e vlerës së saj si kurë dhe ilaç, mund të përfitojnë nga këto të mira. Një nga shokët e Pejgamberit (Alejhi Selam) zbuloi një nga sekretet e Fatihasë, kur e përdori atë si rukje ndaj thumbimit të akrepit. Personi i prekur u shërua menjëherë, ndërsa Pejgamberi (Alejhi Selam) i tha sahabit: “Nga e dije ti se ajo është ilaç?”
Gjithmonë kanë për të qenë të suksesshëm ata që zbulojnë disa nga sekretet e sures Fatiha dhe nga teuhidi që ajo përmban, që njihen me Allahun, me emrat dhe atributet e Tij, me veprimet dhe vendimet e Tij, që shprehen në këtë sure.
Do të jenë të suksesshëm ata që njohin prej sures Fatiha parimet e besimit dhe të caktimit hyjnor, që mësojnë për ringjalljen, për njëshmërinë e Allahut në adhurimin kushtuar Atij dhe në zotërimin e Tij, për besimin dhe mbështetjen tek Ai të Cilit i përket gjithçka, çdo falënderim e çdo gjë e pastër, dhe tek i Cili do të kthehet gjithçka.
Ajo (Surja Fatiha) vlen për ata që mësojnë prej saj shfaqjen e dobësisë para Allahut, duke kërkuar udhëzimin e drejtë, i cili është çelësi i lumturisë së vërtetë në këtë jetë dhe në jetën tjetër. Ajo sure vlen për ata që arrijnë të mësojnë lidhjet me njëri-tjetrin të kuptimeve të saj, nga të cilët (kuptimet e sures) përvetësohet e mira dhe mbrojtja prej të keqes së të dyja jetëve, për ata që kuptojnë se e mira e vërtetë e tyre dhe përfitimi nga ndihma e përkryer e Allahut janë të lidhura ngushtë me zbatimin e këtyre kuptimeve. Pikërisht për këta njerëz, Surja Fatiha do të jetë e mjaftueshme si rukje dhe do të zërë vendin e shumë ilaçeve, duke hapur dyert e mirësisë e duke mbyllur shtigjet e së keqes.
Për ta kuptuar gjithë këtë, nevojitet një natyrë e re, një zemër e re dhe një lloj i ri besimi. Për Allah!, nuk ka fjalë të keqe apo bidat devijues që Fatihaja të mos e refuzojë dhe asgjësojë me mënyrën më të mirë, më të saktë dhe më të drejtpërdrejtë. Nga ana tjetër, nuk ka derë që të fut në njohjen e fesë, në udhëzimin e drejtë të zemrës dhe në ilaçin e shpirtit kundra sëmundjeve të tij, që Fatihaja të mos e ketë çelësin dhe metodën më të mirë për hapjen e saj.
Nuk ke për të gjetur rrugë të atyre që kërkojnë dhe synojnë Zotin e botëve, që të mos nisë dhe mbarojë me suren Fatiha. Për Allah!, Fatihaja është shumë herë më e rëndësishme se ajo që përshkruam ne. Robi që kapet fort pas Fatihasë, që e përvetëson atë si duhet, që e mban atë si një ilaç të përkryer, si një mburojë dhe si dritë të udhëzimit, e që e kupton nënteksin e saj ashtu si duhet kuptuar ai, ky njeri nuk ka për të rënë kurrë në bidat ose në shirk, e nuk ka për t‟u prekur nga sëmundjet e zemrës, përveç ndonjë gjëje kalimtare!
Gjithashtu, Fatihaja është çelësi i thesareve të tokës dhe Xhenetit. Megjithatë, jo çdokush e di se si ta përdorë këtë çelës, në mënyrë që të hapë këto thesare. Ata që i kërkojnë këto gjëra të çmuara do t‟i hapnin e zotëronin lehtësisht ato, nëse do të arrinin të zbulonin sekretet e kësaj sureje dhe të kuptonin nënteksin e saj, duke përgatitur kështu „dhëmbët e çelësit‟, që iu nevojitet.
Ne jemi të sigurt për këto pohime që kemi bërë këtu, sepse ato janë të vërteta. Është urtësia e përkryer e Allahut që këto sekrete (të sures Fatihas) janë të pazbulueshme për zemrat e shumicës së njerëzve, ashtu siç është urtësia e Tij që edhe thesaret e tokës janë të pazbulueshme për ta.
Thesaret e fshehura të tokës janë të rrethuara nga shejtanët, të cilët qëndrojnë midis njerëzve dhe këtyre thesareve. Vetëm shpirtrat e mirë janë në gjendje t‟i mposhtin këta shejtanë nëpërmjet besimit të vërtetë, e cila është një armë që shejtanët nuk e përballojnë dot. Megjithatë, shumica e shpirtrave të njerëzimit nuk janë të kësaj kategorie (me besim të vërtetë). Për këtë arsye, ata nuk arrijnë t‟u rezistojnë shejtanëve ose t‟i mposhtin ata, në mënyrë që t‟u marrin pasurinë, pasi, siç dihet: kush vret një armik në luftë, merr edhe pasurinë e tij.