Ebu Daudi ka sjellë në Sunen-in e tij një hadith prej Sehl ibn Hunejfit, i cili ka thënë: “Njëherë, po kalonim pranë një përroi dhe unë hyra në të për t‟u larë. Por, kur mbarova së lari, më zunë ca ethe. Kur e njoftuan Profetin (s.a.u.s.) për këtë, ai tha: “Urdhërojeni Ebu Thabitin (d.m.th. Sehlin) që të bëjë rukje (për t‟u shëruar)!” Unë i thashë: “O zotëria im! A ka dobi prej rukjeve?”
Ai tha: “Nuk ka rukje për gjë tjetër, por veçse për kundra syrit të keq, etheve dhe kafshimeve (ose thumbimeve) helmuese.”
Ka disa lloje rukjesh fetare, si, për shembull, këndimi i sures Fatiha, i dy sureve mbrojtëse (Felek dhe Nas), ajeti Kursij etj. Përveç këtyre, ka edhe disa lutje profetike, si:
– “Eudhu bi kelimatil-lahit-tam-mati min sherri ma halek!”
(Kërkoj mbrojtje me fjalët e përsosura të Allahut prej së keqes së çdo gjëje që Ai ka krijuar!)
– “Eudhu bi kelimatil-lahit-tam-me min kul-li shejtanin ue ham-meh, ue min kul-li ajnin lam-meh!” (Kërkoj mbrojtje me fjalët e përsosura tëAllahut prej së keqes së çdo shejtani dhe krijese dëmtuese, dhe prej të keqes së çdo syri të keq!)
….
– “Eudhu bi kelimatil-lahit-tam-mat, Eel-leti la iuxhauizuhun-ne ber-run, ue la faxhir min sherri ma halek, ue dhera‟e, ue bera‟e ue min sherri ma jenzilu mines-semai, ue min sherri ma jea‟ruxhu fiha, ue min sherri ma dhera‟e fil ërdi, ue min sherri ma jehruxhu minha, ue min sherri fitenil-lejli uen-nehar ue min sherri tauarikil-lejli, il-la tarikan jetruku bi hajrin, ja Rrahman!”
(Kërkoj mbrojtje me fjalët e përsosura të Allahut, të cilat nuk mund t‟i thyejë dhe kthejë pas as të mirët as të këqijtë, nga sherri i çdo gjëje që Ai ka krijuar, nga sherri i çdo gjëje që zbret nga qielli, nga sherri i çdo gjëje që ngjitet në të, nga sherri i çdo gjëje që hyn në tokë, nga sherri i çdo gjëje që del prej saj, nga sherri i çdo fatkeqësie të natës dhe të ditës, nga sherri i trokitësve të natës, përveç trokitësve për mirë, o Mëshirues!)
….
– “Eudhu bi kelimatil-lahit-tam-meh, min gadabihi ue ikabih, Ue min sherri ibadih, ue min hemezati shejatin, ue en jahdurun!”
(Kërkoj mbrojtje me fjalët e përsosura të Allahut prej zemërimit dhe ndëshkimit të Tij, nga sherri i krijesave të Tij, nga sherri i cytjeve të shejtanëve dhe që ata të më afrohen!)
….
– “Allahume, in-ni eudhu bi uexhhikel kerim, ue kelimatike tam-mati min sherri ma ente ahidhun bi nasijetih! Allahume, ente tekshiful me‟theme uel magrame! Allahume, in-nehu la juhzemu xhunduke ue la juhlefu ua‟duke! Subhaneke ue bi hamdike!”
(O Allah! Unë kërkoj mbrojtje me dritën e Fytyrës Tënde të nderuar, me fjalët e Tua të përsosura, që të më ruash prej sherrit i cili nuk godet pa lejen Tënde! O Allah! Ti je Ai që të shpëton prej gjynaheve dhe humbjes! O Allah! Nuk ka dyshim se ushtarët e Tu nuk mund të mposhten kurrë dhe premtimi Yt nuk mund të thyhet kurrë! I Dëlirë je dhe falënderimet të takojnë Ty!)
….
– “Eudhu bi uexh‟hil-lahil Adhim, el-ledhi la shej‟e ea‟dhame minhu! Ue bi kelimatihi tam-mati, El-leti la juxhauizuhun-ne ber-run, ue la faxhirun ue esmail-lahil husna, ma alimtu minha, ue ma lem ea‟lem min sherri ma haleka, ue dhera‟e, ue bera‟e, ue min sherri kul-li dhi sherrin lautiku sher-rahu, ue min sherri kul-li dhi sherrin ente ahidhun bi nasijetih. In-ne Rabbi ala siratin mustekim!”
(Kërkoj mbrojtje me dritën e Fytyrës së Allahut të Madhërishëm, i Cili është më i madh se gjithçka tjetër; dhe me fjalët e përsosura të Tij, të cilat nuk mund t‟i tejkalojë dhe shkelë as të mirët dhe as të këqijtë; dhe me emrat e bukur të Allahut, – me ata emra që i di dhe me ata të cilët unë nuk i di – që të më ruajë nga sherri i çdo gjëje që ka krijuar, që e ka shtuar dhe shpërndarë në gjithësi, që të më ruajë nga çdo gjë që përmban ligësi, të cilën nuk mund ta përballoj dot, që të më ruajë nga çdo gjë që përmban ligësi, e cila kurrë nuk mund të veprojë pa lejen Tënde! Vërtet, Zoti im është në rrugë të drejtë!)
….
– “Allahume ente Rab-bi! La ilahe il-la Ente! Alejke teuek-keltu, ue Ente Rabbul Arshil adhim! Ma shaell-llahu kane, ue ma lem jeshe‟ lem jekun! La haule ue la ku-uete il-la bil-lah! Ea‟lemu en-nell-llahe ala kul-li shej‟in kadir! Ue en-nell-llahe kad ehata bi kul-li shej‟in ilma! Ue ahsa kul-le shej‟in adeda!”
(O Allah! Ti je Zoti im! Nuk ka të adhuruar tjetër me meritë veç Teje! Tek Ti jam mbështetur plotësisht dhe Ti je Zoti i Arshit madhështor! Ajo që Zoti dëshiroi, ekzistoi, dhe ajo që Zoti nuk e dëshiron, nuk mund të ekzistojë! Nuk ka ndryshim të gjendjes dhe nuk ka forcë ndryshe, veçse me ndihmën e Allahut! Jam plotësisht i bindur se Allahu është i Plotpushtetshëm për gjithçka dhe, pa dyshim, Allahu ka përfshirë gjithçka në dijen e Tij absolute! Dhe Ai çdo gjë e ka përcaktuar me saktësi!)
….
– “Allahume, in-ni eudhu bike min sherri nefsi ue sherri Shejtani ue shirkihi Ue min sherri kul-li dab-betin, Ente ahidhun bi nasijetiha! In-ne rab-bi ala siratin mustekim!”
(O Allah! Unë kërkoj mbrojtje tek Ti që të më ruash nga sherri dhe ligësia e vetes sime, nga sherri i Shejtanit dhe politeizmi i tij, dhe nga sherri i çdo kafshe, Krijuesi dhe Sunduesi i së cilës je Ti! Vërtet, Zoti im është në rrugë të drejtë!)
….
Ose mund të thotë këtë lutje:
– “Tehas-santu bil-lahil-ledhi, la ilahe il-la hu! Ilahi ue ilahu kul-li shej‟in! Ue‟tesamtu bi rab-bi ue rab-bi kul-li shej‟in! Ue teuek-keltu alelhaj-jil-ledhi, la jemut! Ue istedfea‟tu sher-ra bi la haule ue la ku-uete il-la bil-lah! Hasbijell-llahu ue ni‟mel uekil! Hasbije rab-bu minel ibad! Hasbijel haliku minel mahluk! Hasbijel raziku minel merzuk! Hasbijel-ledhi hue hasbi!”
(I kërkoj mbrojtje Allahut, përveç të Cilit nuk ka zot tjetër me meritë! Ai është Zoti im dhe Zoti i çdo gjëje! Unë i kërkoj mbrojtje dhe ruajtje Zotit tim, Zotit të çdo gjëje! I jam mbështetur plotësisht të Gjallit, i Cili nuk vdes kurrë! Unë e largoj të keqen që më kanoset me: „Nuk ka ndryshim të gjendjes dhe as fuqi veçse me ndihmën e Allahut!‟ Më mjafton mbrojtja e Allahut dhe Ai është më i miri ndihmues! Më mjafton Allahu kundrejt sherrit të robërve të Tij! Më mjafton Krijuesi kundrejt sherrit të krijesave! Më mjafton Furnizuesi kundrejt sherrit të të furnizuarve! Më mjafton Ai kundrejt të mjaftueshmes!)
….
– “Hasbijel-ledhi bi jedihi melekutu kul-li shej‟i, ue hue juxhiru ue la juxharu alejhi! Hasbijell-llahu ue kefa! SemiAllahu limen dea lejse ueraell-llahi merma! Hasbijell-llahu, la ilahu il-la hue, alejhi teuek-keltu, ue hue Rab-bul Arshil adhim!”
(Më mjafton Allahu, Ai në dorën e të Cilit është pushteti dhe zotërimi i gjithçkaje, Ai që mund të të ofrojë strehim dhe mbrojtje prej çdo gjëje, dhe askush nuk mund të të strehojë dhe të të mbrojë prej Tij. Më mjafton Allahu dhe mjafton Ai si mbrojtës dhe ndihmëtar! Allahu e dëgjon atë që i lutet! Përveç Allahut, askujt nuk mund t‟i lutesh! Më mjafton mua Allahu, Ai është i vetmi i Adhuruar me meritë, Atij i jam mbështetur për ruajtje dhe mbrojtje, Ai është Zoti i Fronit madhështor!)
….
Ata që i provojnë këto rukje dhe lutje domosdo që kanë për ta kuptuar vlerën dhe dobinë e tyre e, rrjedhimisht, do ta njohin nevojën e madhe për to. Këto lutje të mbrojnë nga ndikimi i syrit të keq, por edhe nëse je prekur nga ai, këto lutje, – me lejen e të Gjithëmëshirshmit – i largojnë pasojat e tij. Por të mos harrojmë edhe faktin që ndikimi dhe dobia e këtyre lutjeve varet nga shkalla e imanit të personit përkatës, nga forca shpirtërore dhe nga mbështetja e tij (tek Allahu). Këto lutje janë armë shumë të fuqishme, por efekti i tyre varet nga aftësia e atij që i përdor.
Nëse dikush e di që mund të dëmtojë veten dhe të tjerët me syrin e keq, ai duhet ta largojë këtë ndikim të keq, duke u lutur: “Allahume, barik alejhi!” (O Allah, begatoje atë dhe shtoja të mirat!). Kështu e këshilloi Pejgamberi (s.a.u.s.) Amir ibn Rabian kur ai mori mësysh Sehl ibn Hunejfin: “Pse nuk u lute për begati për të (duke thënë: „Tebarekallah!‟)?”
Mund të thuash gjithashtu: “Ma‟shallah, la kuuete il-la bil-lah!” (Çfarë dëshiron Allahu bëhet. Nuk ka forcë tjetër, por veçse me ndihmën e Allahut!)
Hisham ibn Urve përcjell se i ati, sa herë që shihte ndonjë gjë që i pëlqente apo kur hynte në ndonjë kopsht të bukur dhe të begatshëm, thoshte: “Ma‟shallah, la kuuete il-la bil-lah!”
Këtu mund të përmendim edhe rukjen që Xhibrili (s.a.u.s.) i bëri Profetit (s.a.u.s.), dëshmi që e sjell Muslimi në Sahih-un e tij:
“Bismil-lahi erkik, min kul-li shej‟in ju‟dhik, ue min sherri kul-li nefsin, eu ajnin hasidin! Allahu jeshfik! Bismil-lahi erkik!”
(Me emrin e Allahut të bëj rukje, për të të ruajtur nga çdo gjë që të dëmton dhe prej së keqes së çdo shpirti [të keq], apo syrit të çdo syri smirak! Allahu të shëroftë! Me emrin e Allahut të bëj rukje!)
Madje, një grup selefësh janë shprehur të mendimit se nuk ka asnjë të keqe që t‟i shkruash diku ajetet kuranore dhe t‟i lash me ujë, pastaj këtë ujë ta përdorësh për kurimin e syrit të keq. Kështu ka këshilluar edhe Muxhahidi, edhe Ebu Kalabe. Transmetohet se Ibn Abasi, për të kuruar një grua së cilës po i vështirësohej lindja e fëmijës së saj, urdhëroi që të shkruheshin ajete prej Kuranit dhe, pasi të laheshin me ujë, ky ujë të pihej nga ajo dhe të lahej me të. Po kështu, Ejubi ka thënë: “E kam parë Ebu Kalaben që shkroi ajete kuranore, i lau ato me ujë, dhe ujin ia dha ta pinte një burri që ankohej nga një sëmundje.”
Ndërsa ai që merr mësysh të tjerët urdhërohet që të lajë gjymtyrët e abdesit dhe fundin e rrobës së vet, – ose organin seksual, sipas një mendimi – nga ana e djathtë. Me këtë ujë, ai pastaj spërkat njëherë të vetme në pjesën e pasme e kokës, atë që ka marrë mësysh.
Ky është një lloj mjekimi që doktorët nuk mund ta arrijnë me ilaçet e tyre. Nga ana tjetër, ata që nuk i pranojnë këto metoda nuk mund të përfitojnë prej tyre, sepse ata nuk besojnë në rezultatin që sjellin rukjet. Përderisa doktorët nuk arrijnë të shpjegojnë shumë dukuri natyrore të kësaj bote, atëherë përse hipokritët nga mesi i tyre e refuzojnë këtë rol dhe efekt të mjeteve fetare?
Në fakt, larja me ujë sjell një rezultat pozitiv, i cili dëshmohet edhe nga përvoja. Në të njëjtën mënyrë, zemërimi pastrohet ose largohet nga zemra, nëse dikush i vë duart mbi gjoksin e personit të zemëruar. Kjo është njëlloj sikur një njeri me pishtar në dorë orvatet që ta hedhë atë drejt teje, ndërsa ti i kundërpërgjigjesh duke hedhur ujë në drejtim të pishtarit, derisa arrin ta shuash atë.
Po ashtu, Pejgamberi (s.a.u.s.) e ka urdhëruar atë që merr mësysh që t‟i lutet Allahut që të bekojë çdo gjë që ai ka parë, në mënyrë që ndjenjat e këqija që ai kalon të zëvendësohen nga lutja, e cila është një lloj bamirësie.
Kura duhet t‟i përputhet sëmundjes, që ajo të ketë efekt mbi të. Ndodh që kur dikush merr mësysh dikë, disa lloje forcash (energjish) shfaqen në skajin e fundmë të rrobës së tij – ose te organi seksual, siç e thamë më lart, – të cilat më pas kalojnë te personi i marrë mësysh. Kur kjo pjesë lahet me ujë, pastrohet edhe nga këto forca negative.
Megjithatë, siç e kemi thënë edhe njëherë, kjo çështje lidhet shumë edhe me shpirtrat e këqij, të cilëve ua pengon të ligën nëse i lan me ujë. Larja me ujë mund të shërbejë edhe për të freskuar zemrën, duke kuruar kështu personin që mendohet se ka marrë mësysh.
Ndonjëherë, kur dikush kafshohet nga ndonjë insekt helmues dhe, pas kësaj, insekti vritet, ky person i kafshuar ndien njëfarë çlirimi. Kjo mbase ndodh sepse ai gëzohet që insekti u vra, dhe ky ngazëllim ndihmon që helmimi të shërohet më shpejt.
Shkurtimisht, kur personi që merr mësysh të tjerët lahet, e liga që ai ka menduar ose ndierë pastrohet nga uji i përdorur.
Dikush mund të pyesë: Le ta pranojmë që larja me ujë ndihmon „agresorin‟, po për viktimën e syrit të keq çfarë mund të themi?
Ne themi se hedhja e ujit mbi viktimën ndihmon për të zbutur efektet e syrit të keq mbi të, njëlloj siç largon mendimet e liga nga zemra e atij që ka marrë mësysh. Uji, i cili përdoret për të ftohur hekurin e nxehtë, shërben mjaft herë edhe në mjekësi, si mjet kurimi, dhe doktorët janë në pajtim me këtë. Është e logjikshme që një pjesë e ujit të përdorur për të shuar syrin e keq të „agresorit‟ të përdoret për të larguar pasojat e syrit të keq te viktima.
Për këtë arsye, të krahasosh mjekësinë e Profetit (s.a.u.s.) me mjekësinë profesioniste është sikur të krahasosh mjekësinë profesioniste me mjekësinë popullore (amatore). Megjithatë, edhe ky krahasim është larg realitetit, sepse dallimi mes profetëve dhe doktorëve është shumë herë më i madh se dallimi mes doktorëve të kualifikuar dhe mjekëve amatorë.
Ju duhet ta keni vënë re tashmë lidhjen vëllazërore mes fesë dhe urtësisë, dhe faktin se ato asnjëherë nuk e kundërshtojnë njëra-tjetrën. Allahu udhëzon në rrugë të drejtë atë që Ai dëshiron dhe ua hap portën e suksesit atyre që trokasin në to. Vetëm prej Tij vijnë begatitë dhe provat e pamohueshme.
***
Mbrojtja nga syri i keq bëhet edhe më e suksesshme nëse i fsheh mirësitë që gëzon nga sytë e njerëzve. Për shembull, El Begawi shënon në librin e tij se kur Othmani (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!) pa njëherë një djalosh të vogël shumë të bukur dhe të lezetshëm, urdhëroi: “Ngjyejani atij gropëzën e mjekrës me të zezë, që të mos e marrin mësysh!” Ndërsa El Hatabi thotë në librin e tij kështu: “Rrëfehet se, njëherë, kur Othmani pa një djalosh të vogël mjaft të bukur, tha: “Mbulojani gropëzën e mjekrës atij me
bojë të zezë!” Othmani, pra, kërkoi që fëmijës t‟i ngjyhej me të zezë gropëza e mjekrës, me qëllim që të mos prekej nga syri i keq.
***
Një lutje tjetër që ndihmon për t‟u ruajtur nga syri i keq përcillet nga Ebu Abdullah El Tajjahi. Ky po shkonte në haxh – ose në xhihad – hipur mbi një deve të mirë. Asokohe ishte një burrë, i cili, po të shihte diçka me sy, do ta rrëzonte përtokë.
Kështu, Ebu Abdullahit i thanë: “Ruaje devenë nga syri i atij njeriu!” Por ai ua ktheu: “Asgjë nuk mund ta prekë devenë time!” Ia përcollën këtë përgjigje njeriut që merrte mësysh dhe ai, si reagim, priti rastin kur Ebu Abdullahi të mos ishte i pranishëm dhe vështroi devenë e tij, e cila ra menjëherë barkazi. Më pas, kur erdhi Ebu Abdullahi dhe i kallëzuan se ai personi ia kishte marrë mësysh devenë, si edhe kur pa devenë që lëngonte, tha: “Ma tregoni kush është ai!” E kështu, kur ia treguan, ai tha:
“Me emrin e Allahut, Kontrolluesit që bën zap shkëmbin e fortë dhe yllin flakërues! Unë lutem që syri i keq t‟i kthehet personit nga i cili doli dhe njerëzve më të shtrenjtë të tij.
(Pastaj ai citoi një ajet kuranor): “Ai ka krijuar shtatë qiej njërin mbi tjetrin. Nuk mund të gjesh në krijimin e të Gjithëmëshirshmit kurrfarë ceni. Hidhe vështrimin: a sheh ndonjë plasaritje? Pastaj hidhe sërish vështrimin; sytë e tu do të kthehen të lodhur e të molisur.” [Mulk, 3-4]
Menjëherë pas kësaj lutjeje, njeriu me sy të keq u verbua, ndërsa deveja u shërua.
Surja Felek dhe Nas 1 ore e perseritur per tu sheruar nga mesyshi zilia hasedi
👇👇👇👇👇👇👇👇👇👇👇👇👇
Postim tjeter lidhur me
Postime te tjera te ngjashme:
Sherim nga Magjia
Rendesia e sherimit me Kuran