Lutja për eliminimin e problemeve
Lutja është mënyra më e mirë për eliminimin e problemeve dhe e realizimit të qëllimeve. Ndonjëherë rezultatet e lutjes mungojnë, edhe atë për shkak të disa arsyeve; për shkak të dobësisë së atij që lutet; për arsye që Allahu i lartësuar, për arsye të caktuara nuk lejon që ajo dëshirë të realizohet; për shkak të dobësisë së zemrës dhe mungesës së koncentrimit në kohën e lutjes, kur ajo ngjanë në një hark të shlirshëm nga i cili shigjeta fluturon dobët; apo për shkak të ndonjë pengese tjetër – ushqimit të ndaluar, shtresimit të mëkateve në zemër; zhytjes në moskokëçarje, harresës dhe të përtacisë.
Për këtë temë flet edhe hadithi të cilin Hakimi e shënon në Mustedrekun e tij, ndërsa Ebu Hurejre (Allahu qoftë i kënaqur me të), e transmeton nga i Dërguari i Allahut (paqja dhe lavdërimi i Allahut qoftë mbi të), i cili thotë:
“Bëni dua Allahut të bindur që ajo do të pranohet dhe dijeni se Allahu nuk e pranon lutjen nga zemra injorante dhe e pakujdesshme.”
Lutja këtu është ilaç efikas për eliminimin e sëmundjeve. Pakujdesia e zemrës ndaj Allahut të lartësuar, anulon veprimin e saj. Gjithashtu, ushqimi i ndaluar eliminon këtë veprim.
I Dërguari i Allahut (paqja dhe lavdërimi i Allahut qoftë mbi të), thotë:
“O njerëz, dijeni që Allahu është i bukur dhe e pranon vetëm të bukurën. Ai u ka urdhëruar besimtarëve atë që u kishte urdhëruar të Dërguarve:
“O ju të Dërguar, hani atë që është e lejuar dhe është e mirë, si dhe bëni vepra të mira se Unë e di atë që ju veproni.”;
“O ju që besuat, hani nga të mirat, që ua kemi dhënë…”
Mandej i Dërguari përmendi një njeri të leckosur dhe të pluhurosur që një kohë të gjatë e kishte kaluar në rrugë dhe i cili ngriti duart kah qielli dhe tha:
“Zoti im, më ndihmo, por, ushqimin e ka haram, pijen haram, rrobat haram, e ajo me çka ishte ushqyer ishte e fituar në mënyrë të palejuar. Si mund t’i pranohet lutja atij njeriu?”
Abdullah ibën Ahmedi (Allahu e mëshiroftë), në Librin për Zuhdin, të cilin e kishte shkruar babai i tij, thekson se si Izraelitët i kishte kapur telasheja dhe ata ishin lutur për lehtësim. Atëherë, Allahu i lartësuar, ia shpalli të Dërguarit të tyre (paqja dhe lavdërimi i Allahut qoftë mbi të):
“Si mund të dilni në luadhe me trupa të përlyer duke ngritur duart nga të cilat u rrjedh gjak dhe që i keni mbushur me haram? Tani, kur zemërimi Im ka kulmuar ndaj jush, vetëm mund të largoheni nga Unë.”
Ebu Dherri (Allahu qoftë i kënaqur me të), ka thënë: “Lutjes i duhet mirësia sikur kripa ushqimit.”