()

Lutja dhe përcaktimi

Këtu hasim në një çështje të njohur: Nëse gjëja për të cilën është bërë lutja ishte e paracaktuar, ajo do të ndodh po qoftë u lut njeriu për të apo nuk u lut, e nëse nuk është e paracaktuar që të ndodh, ajo nuk do të ndodh pavarësisht asaj se a ka bërë dikush lutje apo nuk ka bërë.

Një grup njerëzish kishte menduar që kjo çështje është e arsyeshme dhe e kanë lënë duanë duke konsideruar që nuk ka dobi nga ajo. Ata – me injorancën e qartë dhe rrugën e gabuar – janë kontradiktor. Sikur ky rregull të ishte i drejtë, të gjitha shkaqet do të ishin të pavlefshme, atyre mund t’u themi:

  • Ngopja me bukë dhe shuarja e etjes të janë caktuar që më parë dhe për këtë arsye, kjo duhet të ndodh ti hëngre apo jo. E sikur të mos të ishin paracaktuar, nuk do të ndodhnin pa marrë parasysh atë se ke ngrënë apo nuk ke ngrënë.
  • Nëse të është paracaktuar që të kesh fëmijë, kjo do të ndodhte po qoftë fjete me gruan apo robëreshën, apo nuk fjete. E nëse nuk të është paracaktuar, atëherë nuk ka arsye të martohesh fare. Çfarë absurdi është ky!!!

Vallë, a mund të thotë diçka të tillë qenia njerëzore e mençur?

Bile edhe shtazët e paditura kryejnë ato veprime nga të cilat u varet ekzistenca dhe jeta. Edhe shtazët janë më të mençura se sa njerëzit e tillë që janë sikur shtazët apo janë në lajthitje edhe më të madhe.

Disa ishin përpjekur që të ishin më të mençur dhe kanë thënë: Angazhimi me lutjen është vetëm një lloj adhurimi për shkak të cilit Allahu i lartësuar, e shpërblen atë që lutet, e cila, në realitet, nuk ka ndikim të vërtetë në gjënë e dëshiruar. Te ky infantil nuk ka dallim ndërmjet lutjes dhe hezitimit nga ajo me zemër dhe me gjuhë. Në të dyja rastet dëshira plotësohet. Rezultati i lutjes tek ata është si rezultati i heshtjes, pa dallim.

Grupi tjetër, padyshim është më i mençur se ky, konsideron që lutja është shenjë e zakonshme, të cilën Allahu ua ka vendosur njerëzve si tregues që është pranuar lutja. Kësisoj mund të thuhet se reja e zezë e ftohtë në stinën e dimrit është shenjë e sigurt që do të bie shi. Ata konsiderojnë që ekziston korrelacion i ngjashëm ndërmjet veprave të mira dhe shpërblimeve; mosbesimi dhe veprat e këqija, nga njëra anë dhe dënimet, në anën tjetër. Këta janë vetëm tregues të shpërblimit apo të dënimit, e jo shkaqet e tyre. Kësisoj, sipas tyre, të thyerit nuk është shkak i thyerjes, flaka ndaj zjarrit, goditja vdekjeprurëse ndaj vdekjes…

Këto kurrsesi nuk janë shkaqe dhe nuk kanë asnjë lidhje me pasojat. Këtu bëhet fjalë vetëm me ndërlidhjen e rastësishme, e jo me lidhjet shkaktuese. Këto kuptime janë në kontradiktë me rendin natyror dhe logjik të fakteve. Janë të kundërta me kuptimësitë e njerëzve të shëndosh dhe të mençur; bile bile, me ta vetëm mund të qeshemi.

E vërteta qëndron në gjënë e tretë, në të cilën ai që shtron pyetje nuk e ka përmendur, e ajo është se fati zhvillohet për shkak të disa shkaqeve, e një nga ato shkaqe është lutja. Rezultati i lutjes nuk është paraqitur vetvetiu por duke iu falënderuar asaj. Kur njeriu lutet, rezultati ndodh, ndërsa kur nuk e ndërmerr atë hap, nuk ka as rezultate. Në këtë mënyrë janë ngopja me ushqim dhe ujë, ndërsa lindja e fëmijës nga marrëdhënia intime ndërmjet bashkëshortëve. Kësisoj edhe korrja është pasojë e rritjes së grurit; therja shkak i vdekjes së kafshës…

Veprat e mira janë shkas i hyrjes në Xhenet, ndërsa të këqijat shkas i hyrjes në Xhehenem. Ndarja e këtillë është e drejtë. Në këtë, ai që pyet nuk ishte i udhëzuar dhe as nuk ishte i njoftuar me atë. Për këtë arsye, lutja është shkas mjaft i rëndësishëm. Nëqoftëse e dimë se ndodhja e asaj për çka lutet njeriu ndërlidhet me lutjen, nuk mund të thuhet se nuk ka dobi nga duaja, ashtu siç nuk mund të thuhet se nuk ka dobi nga të ushqyerit, nga pija si dhe aktivitetet e tjera dhe lëvizjet. Asgjë nuk është më efikase se lutja dhe nuk ka mënyrë më efikase për arritje të qëllimit.

Shokët më mirë se tërë umeti e kishin njohur Allahun e lartësuar dhe të Dërguarin e Tij (paqja dhe lavdërimi i Allahut qoftë mbi të) dhe ishin më të udhëzuarit në fe. Për këtë arsye më së shumti i ishin përmbajtur këtij shkaku dhe kishin respektuar rregullat e tij. Omeri (Allahu qoftë i kënaqur me të), në lutje kishte kërkuar ndihmë kundër armikut. Kjo ishte atuja e tij më e fuqishme. Ushtarëve të tij u kishte thënë: “Ju nuk fitoni për shkak të numrit tuaj por duke iu falënderuar ndihmës nga qielli.”

Me një rast tjetër kishte thënë: “Unë nuk brengosem se a do t’më pranohet duaja por më brengos vetë duaja. Kur jam i frymëzuar nga duaja e mirë, plotësimi i saj vjen bashkë me të.”

Një poet këtë mendim e kishte vendosur në vargjet:

Po të mos doje të ma jepje atë që e kërkoj dhe dëshiroj

nga thesaret Tuaja, nuk do të më frymëzoje ta dëshiroj.

Kujt i mundësohet të bëj dua, duaja e tij do të pranohet, sepse Allahu i Madhërishëm thotë:
“Më thirrni Mua, Unë ju përgjigjem…”;
“E kur robërit e Mi të pyesin ty për Mua, Unë jam afër, i përgjigjem lutjes…”

Ibën Maxhe në Sunen shënon hadithin e Ebu Hurejres (Allahu qoftë i kënaqur me të), se i Dërguari i Allahut (paqja dhe lavdërimi i Allahut qoftë mbi të), kishte thënë:

“Kush nuk e lutë Allahun, Ai hidhërohet me të.”

Këtu shohim që kënaqësia e Allahut nisë nga lutjet dhe përulësia ndaj Tij. E nuk ka mirësi më të madhe se sa kënaqësia e Tij, ashtu siç nuk ka krim më të madh se sa nxitja e zemërimit të Tij.

Imam Ahmedi në librin Zuhd përmend transmetimin: “Unë jam Allahu, nuk ka zot tjetër përveç Meje. Kur jam i kënaqur, jap bereqet i cili nuk ka kufij. Kur jam i zemëruar, atëherë mallkoj, e mallkimi Im e arrin edhe fëmijën e shtatë.”

Logjika, tradita, natyra dhe përvojat e popujve të ndryshëm na flasin se afrimi i Zotit të botëve, përpjekja për ta arritur kënaqësinë e Tij, mirësia dhe mirësjellja ndaj krijesave të Tij – janë shkaktarë të të gjitha të mirave, ndërsa se veprimet e kundërta ftojnë çdo të keqe dhe telashe. Asgjë nuk mund ta tërheqë mirësinë e Allahut dhe t’i largoj shenjat e zemërimit të Tij sikur mirësia, afrimi ndaj Allahut dhe veprimi i mirë ndaj krijesave të Tij.

Allahu i Madhërishëm në Librin e Tij mes fitimit të të mirave materiale dhe përjetimit të gëzimit në këtë dhe në botën tjetër vendos lidhjen shkak-pasojë. Raste të tilla në Kuran janë rreth njëmijë. Në disa raste fakti universal dhe dispozita fetare ndërlidhet me rezultatin e caktuar dhe me vetinë:
“E kur ata tejkaluan me arrogancë të hapët nga ajo që ishin të ndaluar, Ne i shndërruam në majmunë të përbuzur!”;
“Kur ata nxitën hidhërimin Tonë, Ne iu hakmorëm atyre dhe i përmbytëm të gjithë.”;
“Vjedhësit dhe vjedhëses preuani duart…”
“Nuk ka dyshim se për muslimanët e muslimanet, besimtarët e besimtaret, adhuruesit e adhurueset, të sinqertit e të sinqertat, durimtarët e durimtaret, të përvuajturit e të përvuajturat, sadakadhënësit e sadakadhënëset, agjëruesit e agjërueset, ruajtësit e nderit e ruajtëset e nderit, shumëpërmendësit e Allahut e shumëpërmendëset e Allahut, Allahu ka përgatitur falje dhe shpërblim të madh.”

Në disa raste këto gjëra vendosen në lidhjen shkak-pasojë, siç shohim në ajetet;
“…nëse keni frikë Allahun, Ai do të vërë udhëzim në zemrat tuaja për ju, do t’ua mbulojë të këqijat, do t’ua falë mëkatet. Allahu është dhurues i madh.”
“Sikur ata t’i përmbaheshin rrugës së drejtë, Ne do t’iu lëshonim atyre ujë me bollëk…”
“Po, nëse ata pendohen, e falin namazin dhe e japin zeqatin, atëherë i keni vëllezër në fe.”

Në disa raste këtyre fakteve fetare u bashkohet pjesëza lam (لِ) e cila shërben për shpjegim:
“…që t’i studiojnë argumentet e tij dhe që të marrin mësim prej tij, ata që kanë mend.”
“… për të qenë ju dëshmitarë në Ditën e Gjykimit ndaj njerëzve, si dhe për të qenë i Dërguari dëshmitar ndaj jush.”

Ndonjëherë i gjejmë bashkë me pjesëzën kej (كَيْ) e cila ka kuptim të njëjtë si edhe pjesëza e mëparshme:
“Që ajo të mos ndahet ndërmjet pasanikëve tuaj…”

Ndonjëherë i përcjell pjesëza shkakësore ba (بِ).
“Kjo është meritë e duarve tuaja!”;
“…për shkak se ata mohonin…”;
“…për shkak të asaj që fituan.”;
“Por ata mohuan, prandaj i dënuam për atë që bënë.”
“Le të qeshin pak e të qajnë shumë si dënim për atë që kanë bërë.”
“Do të kenë si vendstrehim zjarrin, për atë që kanë bërë.”
“Dhe nuk patën aspak dobi nga ajo që patën ndërtuar.”
“…për shkak se ata i mohonin argumentet e Allahut…”

Ndonjëherë kjo shprehet përmes kallëzores së shkakut apo të qëllimit për çka është thënë apo fshehur:
“…atëherë një burrë e dy gra, nga dëshmitarët që i pëlqeni. Dy gra në vend të një burri, për atë se nëse njëra prej tyre gabon, t’ia përkujtojë tjetra.”;
“…Të mos thoni në Ditën e Kiametit: Ne nga ky dëshmim ishim të panjohur.”;

“…Që të mos thoni: “Libri u zbriti vetëm dy grupeve para nesh…” – pra, nga frika të mos e thoni këtë.

Ndonjëherë përdoret pjesëza fa (فَ):
“…Ata nuk i besuan atij dhe devenë e therën, e Zoti i tyre për shkak të mëkatit të tyre ua rreshtoi ndëshkimet dhe i rrafshoi.”;
“Ata kundërshtuan të Dërguarin e Zotit të tyre, e Ai i dënoi ata me një dënim edhe më të madh.”;
“…nuk është tjetër pos njeri që trillon gënjeshtra ndaj Allahut.”

Në disa raste gjejmë pjesëzën lemma (لَمَّا) e cila bën me dije për pasojën:
“Kur ata nxitën hidhërimin Tonë, Ne iu hakmorëm atyre…”

Ndonjëherë, megjithatë, hasim pjesëzën inne (إِنَّ):
“Ata përpiqeshin për punë të mira…”;
“…vërtet ai ishte popull i keq, prandaj i përmbytëm që të gjithë.”

Përdoret edhe pjesëza lev la (لَوْلاَ) e cila shërben për të ndërlidhur sintagmat:
“E sikur të mos ishte ajo që ai kishte qenë prej atyre që shumë e përmendin Zotin. Ai do të mbetej në barkun e tij deri në ditën e ringjalljes…”,

si dhe pjesëza lev (لَوْ) e cila bën me dije kushtin:
“Po sikur të zbatonin atë që këshilloheshin do të ishte më mirë për ta…”

Sidoqoftë, mund të themi që Kurani që nga fillimi e deri në fund qartë bën me dije atë se për veprën e bërë pason shpërblimi apo dënimi, si dhe se të gjitha dispozitat universale dhe ligjet i kanë shkaqet e tyre. Libri i Allahut i lartësuar, bën me dije për atë se ndodhitë në këtë botë dhe në botën tjetër, si dhe të gjitha gjërat e favorshme dhe të pafavorshme në to varen nga shkaqet dhe veprat.

Kush mendon për këtë çështje dhe me kujdes i analizon do të ketë dobi të madhe. Nuk do të veproj sikur ata, të cilët mbështetën në fatin nga mosdija, pafuqia, pakujdesia dhe mosinteresimi. Kur mbështetet, atëherë është i pafuqishëm, e kur është i pafuqishëm, atëherë mbështetet. E ka kuptuar drejtë kuptimësinë e fesë ai që në përcaktim përgjigjet me përcaktim, ai që përcaktimin e ndërron me përcaktim. Bile bile, njeriu vetëm kështu mund të jetoj. Sepse, uria, etja, të ftohtit, tmerret, paqartësitë dhe rreziqet në realitet të gjitha janë përcaktim.

Të gjitha qeniet e gjalla përpiqen që këtij përcaktimi t’i paraprijnë apo ta parandalojnë me përcaktim. Kësisoj, njeriun që do ta frymëzoj Allahu dhe ta bëj shpirtmadh, përcaktimin e dënimit të Ahiretit do ta parandaloj me përcaktimin e pendimit, të besimit dhe të veprave të mira. Jemi dëshmitarë të tmerreve të përcaktimit të kësaj bote, ndërsa edhe në botën e ardhshme sundojnë ligjet e njëjta, sepse Zoti është Një dhe urtësia është një. Këtu nuk ka palogjikshmëri dhe mospërputhje. Kjo është një nga çështjet më të rëndësishme dhe vërtetë ia ka dalë ai që e kupton drejtë dhe ia kushton kujdesin e duhur.

Mirëpo, deri te lumturia e plotë dhe suksesi mbeten edhe dy hapa:

I pari: Njohja edhe e shkaqeve më të imta të së mirës dhe të së keqes. Në këtë do t’i ndihmoj ajo që e sheh përreth vetes, përvojat nëpër të cilat ka kaluar ai apo ndonjë i afërm i tij, si dhe njohuritë për popujt ekzistues dhe të kaluar. Burimi më i mirë i këtyre përvojave është të mendohet për Kuranin. Ai është përplot me informacione të tilla dhe na jep pasqyrimin detaj për raportin e së keqes dhe të mirës.

Burimi tjetër është Suneti, përcjellësi i Kuranit dhe shpallja e dytë. Kush i kushton rëndësi këtyre burimeve nuk do të ketë nevojë për asgjë tjetër. Përmes tyre mund të njihen burimet e së mirës dhe të së keqes në mënyrë shumë ilustrative dhe të qartë. Nëqoftëse do të analizonim shënimet për popujt e kaluar dhe veprimin e Allahut me besimtarët dhe tradhtarët, do të shihnim që ajo plotësisht është në harmoni me atë për çka na flet Kurani dhe Suneti.

Duke lexuar informacionet, e shohim se si është realizuar premtimi i Allahut. Kjo na bën me dije që Kurani është e vërteta, që i Dërguari është e vërteta dhe që Allahu pa mëdyshje realizon premtimet e Tij. Pra, historia është vetëm imazhi i shkaqeve gjenerale të së mirës dhe të së keqes për të cilat na flasin Allahu dhe i Dërguari i Tij.

How useful was this post?

Click on a star to rate it!

Average rating / 5. Vote count:

No votes so far! Be the first to rate this post.

As you found this post useful...

Follow us on social media!

Shpërndaje
error: Content is protected !!

Pin It on Pinterest

Share This